Komunikatë për media                                                   16. 05. 2007

 

 

Vizita e delegacionit të komunës së Klinës në qytetin e Kristiansandit në Norvegji

 

 

 

Në kuadër të programit të punës së degës së LDK-së në Norvegji, komuna e Kristiansandit e Norvegjisë e ka ftuar një delegacion nga komuna e Klinës, që është kryesuar nga kryetari Prenkë Gjetaj, kryetar i KK-së së Klinës, drejtori i Drejtoratit të Arsimit, Kristë Beka dhe drejtori i Drejtoratit të Emergjencës, njëherit edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Fadil Gashi.

 

Delegacioni nga Klina fillimisht u prit në një takim zyrtar nga kryetari i komunës së Kristiansandit, Jan Oddvar Skisland. Në këtë takim u shkëmbyen mendime për fillimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy komunave në disa nga sektoret më të rëndësishëm, si në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, sport etj.

Kryetari i KK-së së Klinës, Prenkë Gjetaj e informoi kryetarin e komunës së Kristiansandit për gjendjen ekonomike, politike, arsimore dhe kulturore të qytetit të Klinës, duke u ndalur kryesisht në mundësitë e bashkëpunimit në këto fusha, bashkëpunim që do të ndihmonte në përmirësimin e sektoreve të lartpërmendur.

Ndërkaq kryetari i komunës së Kristiansandit, Jan Oddvar Skisland, u shpreh se ndihet i privilegjuar që po fillojnë bashkëpunimet e para me udhëheqësinë e një qyteti kosovar dhe ai premtoi se beson edhe në bashkëpunimin e mëtejm ndërmjet këtyre dy komunave.

Në një prezentim për sektorin e shëndetësisë dhe të sistemit social në qytetin e Kristiansandit foli udhëheqësi i këtij sektori, Arild Rekve. Me këtë rast delegacioni nga Klina insistoi në mundësitë e bashkëpunimit në këtë sektor, që nënkupton ndihmën në logjistikë dhe në dërgimin e këtij personeli nga komuna e Klinës për trajnim në Kristiansand të Norvegjisë. Njëherit, gjatë këtij takimi u fol edhe për mundësitë e dhurimit të një autoambulance dhe për dhurimin e disa pajisjeve të tjera shëndetësore, për të cilat pala norvegjeze u shpreh e gatshme, por që nevojitet një kërkesë zyrtare që duhet hartuar nga komuna e Klinës.

Ndërkaq në prezentimin për sektorin e arsimit dhe të sistemit shkollor, foli Radgiver Gerd Inger, ku delegacioni nga Klina u informua për mundësitë e reformimit të mëtutjeshëm në këto fusha. Drejtori I Departamentit të Arsimit, Kristë Beka, informoi për gjendjen e sistemit shkollor në Klinë dhe për mungesën e ndjeshme të logjistikës shkollore.

Drejtori i Emergjencës në KK të Klinës, z. Fadil Gashi u takua me udhëheqësin e Departamentit të Emergjencës të komunës së Kristiansandit, z. Knut Berg Bentsen, me të cilin u fol për përvojat e këtyre sektorëve në këto dy qytete. Fadil Gashi e njoftoi Knut Berg Bentsen për organizmin e këtij Departamenti, duke u fokusuar më shumë në mungesën e ndjeshme të logjistikës.  Knut Berg Bentsen premtoi se nuk do të mungojë ndihma në këtë fushë, duke përfshirë këtu logjistikën si dhe mundësitë e dërgimit të disa zjarrfikësve nga Klina për trajnim professional në Norvegji.

Gjatë kësaj vizite delegacioni nga Klina u takua edhe më zyrtaren e lartë të Partisë

Social Demokrate të Norvegjisë, Rita Wrolosen, me të cilën u bisedua për mundësitë e

bashkëpunimit sindikal. Delegacioni ynë u njoftua për formën e përsosur të

organzimit sindikal në Norvegji. Zonja Wrolosen foli edhe për çështjen e statusit të

Kosovës, sipas të cilës duhet të zgjidhet sa më shpejtë, në të mirë të qytetarëve të

Kosovës.

Fillimi i bashkëpunimit ndërmjet dy komunave nënkupton edhe një hap më tutje drejt

bisedimeve për binjakëzimin e qytetit të Klinës me qytetin e Kristiansandit. Në bisedimet

me stafin e komunës së Kristiansandit u njohem me përparësitë që mund t’i ketë komuna

jonë në rast të binjakëzimit me qytetin e Kristiansandit. Kjo nënkupton ndihmesë në

infrastrukturën e qytetit, ndihmesë në programe të ndryshme arsimore dhe kulturore, si

dhe shkëmbim kuadrosh të ndryshme.

Në një drekë pune të organizuar nga Dega e LDK-së në Norvegji, morën pjesë

delegacioni nga Klina, përfaqësues të Qeverisë Norvegjeze e udhëhequr nga zonja Mette

Gundersen, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kristiansand, Faton Ahmetaj dhe

anëtarë të kryesisë së Degës së LDK-së në Norvegji. Në këtë takim u fol për

mundësitë integruese të komunitetit shqiptar në Norvegji, për mundësitë e

bashkëpunimit ndërmjet komunave të dy vendeve dhe për mundësitë e liberalizimit

të vizave me qëllim të dërgimit të punëtorëve sezonalë nga komuna jonë për në

Norvegji. Përfaqësuesja e Qeverisë Norvegjeze, zonja Mette Gundersen tha se

komuniteti shqiptar në Norvegji për çdo ditë e më shumë po integrohet në shoqërinë

norvegjeze dhe se tashmë në disa parti minoritare kanë bërë emër edhe emigrantë

nga Kosova.

 

Delegacioni nga Klina u prit në disa takime pune nga kryetari i degës së LDK-së në

Norvegji, Daut Haxhaj, nënkryetari, Naim Seferi, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqiptare

në Kristiansand, Faton Ahmetaj, Bahri Ujkami anëtar I kryesisë së Degës  dhe veprimtarë

të tjerë, të cilët informuan gjerësisht për aktivitetet e emigrantëve shqiptarë në Norvegji.

Kryetari i KK-së së Klinës, z. Prenkë Gjetaj i informoi mërgimtarët tanë për rrjedhat e

punës dhe të veprimtarisë komunale të Klinës dhe u shpreh i kënaqur për punën që e kanë 

bërë dhe po e bëjnë mërgimtarët tanë në aspektin ekonomik. Ai njëherit i ftoi ata që të

investojnë edhe në Kosovë në disa sektorë ekonomikë që konsiderohen profitabil.

Kryetari i Degës së LDK-së në Norvegji, z. Daut Haxhaj, e informoi delegacionin nga

Klina për statusin e favorshëm të emigrantëve shqiptarë në Norvegji, për aktivitetin

e tyre në organizimin e shumë konferencave me karakter ndërkombëtar për cështjen e

Kosovës dhe për mbajtjen gjallë të frymës kombëtare të diasporës në Norvegji.

Edhe nënkryetari i Degës së LDK-së, Naim Seferi, e njoftoi delegacionin nga Klina

kryesisht për aktivitetin e degës në kryeqytetin e Norvegjisë, në Osllo dhe për

aranzhimin e takimeve të delegacioneve kosovare në Norvegji.

Daut Haxhaj tha se Dega e LDK-së në Norvegji e mbështet punën e Qeverisë së

Kosovës dhe të të gjitha institucioneve të tjera që veprojnë në Kosovë.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kristiansand, z. Faton Ahmetaj e

njoftoi delegacionin nga Klina për veprimtarinë e kësaj shoqate të rendësishme për

komunitetin shqiptar në Kristiansand, që mbanë numër të madh aktivitetesh kulturore,

letrare, sportive etj.

Në kuadër të aktivitetit Ndihmë Sportit në Kosovë, me angazhimin e mergimtarit Mentor

Rashicës u realizua grumbullimi i pajisjeve sportive për Klubin Futbollistik “Dukagjini”

të Klinës, i cili do të ndihmohet në të ardhmen dhe do të shqyrtohen mundësitë e

bashkëpunimit dhe këmbimit të talentëve sportivë.

Në fund ne e falenderojmë degën e LDK-së në Norvegji, konkretisht kryetarin Daut

Haxhaj dhe nënkryetarin Naim Seferin për kontributin që kanë dhënë për të mundësuar

bashkëpunimin ndërmjet dy komunave si dhe aranzhimin e të gjitha takimeve zyrtare me

zyrtarë të ndryshëm nga qeveria komunale e Kristiansandit dhe me zyrtarë të Qeverisë së

Norvegjisë.